Jul 16, 2008

Kaq të ndryshëm, kaq të barabartë

Shoqëria njerëzore, prej shekujsh është përfshirë në një valë konfliktesh, padrejtësish e mëkatesh, herë vdekjeprurëse për një individ e herë aq gjithëpërfshirëse sa edhe një luftë botërore, burimi i së cilës ka qenë dhe mbetet ndryshueshmëria mes njerëzve. Që në momentin kur kurioziteti njerëzor e kaloi pragun e mosnjohjes dhe njeriu u ndesh me natyra të ndryshme, ndonëse brenda llojit të tij, paqja që sundonte deri atëherë pushoi së qenëri dhe lindën një varg problemesh, edhe sot shumë aktuale. Jo vetëm e vetmja rrugëdalje nga këto probleme, por edhe një armë e fortë zhvillimi për njerëzimin është padyshim garantimi i barazisë pa e cenuar këtë diversitet midis pjesëtarëve të shoqërisë njerëzore, e cila tashmë është ingranuar në procesin e pakthyeshëm të globalizimit.

Është e pakuptimtë të mohosh ose të kundërshtosh ekzistencën e ndryshimeve nëse bëhet fjalë për lëndë njerëzore. Ashtu siç jemi të ndryshëm gjenetikisht, ashtu edhe shfaqemi me personalitete, interesa, nevoja, aftësi, perspektiva, ide, ndjenja e emocione, opinione, besime, vlera e madje dhe mënyra jetese të ndryshme. Nga një këndvështrim tjetër, kam bindjen se vetëm në një sipërfaqe të kufizuar të një metropoli perëndimor mund të takoje një larmi racash, kombësish, kulturash, moshash, klasash shoqërore dhe besimesh fetare e politike. Është e domosdoshme që ky mozaik të mbahet nën kontroll në radhë të parë për të arritur mbijetesën e individit dhe më pas për të marrë më të mirën e secilit grup duke formuar një kulturë të vetme kolektive përzgjedhëse. Mendimi se diversiteti njerëzor nuk sjell gjë tjetër veç telasheve i ka kushtuar shoqërisë prapambetje. Kjo gjë është reflektuar në një frymë jobashkëpunuese e shoqëruar me mungesën e këndvështrimeve, zgjidhjeve, veprimeve, eksperiencave dhe mundësive të reja, që e pasurojnë komunitetin dhe e drejtojnë atë drejt realizimit të më të mirës së mundshme.

Hapi i parë që duhet ndërmarrë në këtë drejtim është sigurimi i respektimit të lirive dhe të së drejtave të individit në çdo qelizë të mekanizmit të funksionimit të shoqërisë ku ai merr pjesë. Sanksionimi i tyre me ligj është arritur tashmë, por kjo nuk mjafton. Bëhet fjalë për një koncept individual që duhet të jetë pjesë e moralit të secilit prej nesh. A jemi të hapur sa të pranojmë dikë të ndryshëm nga ne dhe të respektojmë çdo të drejtë të tij si të bëhej fjalë për vetë ne? Në këtë drejtim ka shumë për t’u bërë që të arrihet një barazi midis njerëzve përkrahë ndryshimeve mes tyre.

Respektimi i të drejtave dhe lirive është më e pakta që mund të bëhet për të arritur atë shkallë zhvillimi ku çdokush është i vlefshëm dhe gjen vendin në dhënien e kontributit të vet për realizimin e një qëllimi të caktuar. Pranimi i ideve të ndryshme, përshtatja e përvojave jo të afërta dhe vënia në zbatim e projekteve të përbashkëta të krijuara nga pjesëmarrja e një diversiteti individësh do të çonte në një sukses të paimagjinueshëm, nëse ne do të ishim të gatshëm për të qenë të hapur gjatë punës sonë. Por, ne s’jemi plotësisht. Nëse do të mbyllnim sytë dhe gjykimet s’do të ishin më të rëndësishme sesa dëshira për t’ia dalë mbanë, atëherë po që mund të thoshim se barazia më në fund u arrit dhe ndryshimet mes nesh veçse na ndihmojnë.

Dikur, Martin Luther King luftonte për barazi dhe mundësi të njëjta nën moton e famshme: “Unë kam një ëndërr...” dhe qindra mijëra të tjerë iu bashkuan për fitoren e kësaj beteje. Beteja ende s’ka mbaruar dhe unë ndaj të njëjtën ëndërr me të. Ndoshta do të vijë një ditë kur barazia mes të ndryshmëve të garantohet, pas shumë pune e përpjekje dhe vetëm atëherë kjo ëndërr do të realizohet...

Shqipëria – Një lumë, brenda shtratit të tij që derdhet në Detin Europian

Jean Monnet, i pari projektues që ndezi shkëndijën e realizimit të ëndrrës për një Evropë të bashkuar, e kishte të qartë se integrimi ekonomik e politik evropian nuk do të mund të konceptohej jashtë kontureve të shkëmbimit e të shkrirjes së vlerave e idealeve kombëtare. Më se gjysmë shekulli më vonë, Shqipëria është më e vendosur se kurrë për t’u bërë pjesë e ëndrrës. Ndërsa vështrimi është i palëkundur për përmbushjen e standardeve, është thelbësore ruajtja e personalitetit tonë kombëtar, me vlerat e trashëguara nga e shkuara dhe me virtytet me të cilat jemi identifikuar si komb. Historia, fryma e atdheut, drejtësia e pastërtia morale dhe pasuria kulturore e trashëguar i kanë falur Shqipërisë dinjitetin për t’u bërë pjesë e komunitetit evropian jo vetëm pa shembur asgjë nga qenia e saj, por duke e shfaqur tërësisht atë.

Natyra e popullit shqiptar do të vërë vulën e saj në çdo hap që do të ndërmarrë Shqipëria në kuadrin e marrjes dhe zbatimit të vendimeve ekonomike, politike dhe sociale të Bashkimit Evropian. Kjo natyrë, herë e kritikuar, por më shpesh që na bën të ndihemi krenarë për identitetin tonë kombëtar, ngrihet mbi bazën e një sërë vlerave e virtyteve, përkatësia e të cilave me Shqipërinë është e pohuar gjerësisht, dhe jo vetëm nga ne, shqiptarët. Të shumta janë këto cilësi, që nga besnikëria e deri te mikpritja dhe tërësia e tyre përbën një nga elementët më të mirë të paraqitjes dhe përfaqësimit të vendit tonë. Është shumë e rëndësishme që këto atribute të ruhen dhe të jenë pjesë e portretit shqiptar në procesin e evropianizimit.

Ekzistenca e Shqipërisë si shtet, e tashmja dhe e ardhmja e saj, nuk mund të kuptohen pa njohur historinë e së kaluarës. Është një e kaluar e lavdishme, e përgjakur nga domosdoshmëria për liri dhe e udhëhequr nga idealet më të larta të qenies njerëzore dhe toleranca e besimit. Kjo e kaluar e kthyer në mit për ne, rrezaton në çdo faqe të saj frymën e unitetit, që në thelb është një frymë bashkëpunimi për të realizuar një qëllim të përbashkët. Po e njëjta frymë bashkëpunimi do të ishte e çmuar edhe në kuadrin e projekteve të përbashkëta evropiane dhe historia jone është garanci për të. Asnjë popull më shumë se ne nuk e ka atë eksperiencë për kompromis apo qëndresë edhe në situatat më kritike.

Si një nga kombet më të lashta të Ballkanit, kemi trashëguar një thesar kulturor që është dëshmi e shpirtit artistik shqiptar. A ka lumturi më të madhe për ne se ta ndajmë atë me miqtë tanë të kontinentit të vjetër? Është e qartë se globalizimi i ka rrëzuar barrierat kulturore mes kombeve, por kjo nuk do të thotë kurrsesi se duhet ta lëmë nën pluhurin e harresës artin dhe kulturën tradicionale. Ata janë plotësues të profilit të Shqipërisë dhe pjesë e rëndësishme e gjithë pasurisë kulturore evropiane.

Integrimi evropian është një sfide e madhe dhe si çdo proces i ndërlikuar do të ketë vështirësitë e veta. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që Shqipëria t’i kalojë pengesat pa u tjetërsuar, duke paraqitur më të mirën e saj nga pikëpamja morale, historike dhe kulturore. Karakteri i fortë dhe personaliteti i konsoliduar i kombit tonë do t’i sjellë Evropës në mënyrë të pashmangshme vlera, të cilat ashtu si edhe vetë Shqipëria do të bëhen pjesë e pandashme e saj.

Migjeni, ky thyerës i tabuve

Me vrullin e rebelit, me vuajtjet e fatkeqit dhe me shpirtin e artistit të madh, Migjeni lindi i paracaktuar per të thyer tabutë... E guximshme ishte dalja kundër rrymës për poetin e ri, por i tillë ishte identiteti i tij artistik dhe ai nuk mund të bënte ndryshe as në ditët e optimizmit rinor, as në ato të dëshpërimit të thellë në pritje të fundit të padrejtë të jetës së tij tragjikisht të shkurtër. Përmes armës më të fortë: gjenialitetit krijues, Migjeni ka lënë gjurmë të thella në letrat shqipe për përmbysjen e çdo konvencioni të ndjekur nga poetët shqiptarë deri atëherë, si në tematikë, ashtu edhe në strukturim.

E gjithë vepra e Migjenit është në thelb trajtesë e temave tabu për shoqërinë shqiptare. Vëllimi i tij poetik është “i lirë” nga tema e stërpërdorur e atdhedashurisë dhe e së kaluarës së lavdishme. Fuqishëm reflektohet mbi shoqërinë e kohës, për të nxjerrë në pah plagët më të thella të saj, të fshehura nën heshtjen e të gjithëve dhe mjerimin e gjithanshëm. “Novelat e Qytetit të Veriut” konfirmojnë shpirtin demaskues dhe kundërshtues të Migjenit ndaj indiferentizmit të përgjithshëm si zgjidhje për t’iu shmangur problemeve të vërteta. Këto proza sintetizohen mbi një tematikë të pakonceptueshme për mentalitetin shqiptar. Ideali familjar i mbështetur në interesin e të parit, drama e një prostitute që e lidh fatin e vet me moralin e gënjeshtërt të shoqërisë, shkatërrimi i një familjeje si pasojë e mjerimit dhe ankthi i dy të rinjve nga tabuja e inçestit, tema ende shumë të ndjeshme dhe të shmangura nga diskutimi, janë dëshmi e guximit të Migjenit për të sfiduar çdo mendje shqiptari. Sinqeriteti kritik i poetit të madh ndoshta është perceptuar si mëkat, por mëkati i vërtetë është mbrojtja e tabuve nga alternativat për zgjidhje dhe përsosmëri.

Me të njëjtin guxim, tabutë janë thyer edhe nga këndvështrimi strukturor e stilistik. Origjinal dhe i vetpërjashtuar nga ndërtimi formal i poezisë së kohës, Migjeni e drejton vargun e tij drejt një përmase më gjithëpërfshirëse, drejt një lirie që e bën të vështirë për ta përcaktuar, por të veçantë. Prozave, Migjeni u jep një formë edhe më origjinale letrare. Skicat letrare, forma të ndërmjetme mes poezisë dhe tregimit janë zgjedhja e tij për t’i thyer normat e krijuesve. Në pak rreshta përqëndrohen për mrekulli shtrimi i problemeve dhe ngritja e akuzave. I gjithë ky devijim nga struktura duket sikur i mbivendoset devijimit tematik për ta parë të vërtetën lakuriqe larg mitizimeve e larg tabuve.

I mjaftuan katër vite Migjenit për të ngritur një vepër të madhe që shkel në anët më të errta të shoqërisë. Një vepër e ngritur si protestë për tipet e strukturuara të të shktuarit letërsi dhe si revoltë për të ndryshuar mekanizmin e mbrapshtë sipas të cilit funksiononte shoqëria. Një vepër madhështore e thyerjes së çdo tabuje...

Alegoria e Zulluve... Këndvështrimi im

Sot, shumë kohë pas shkrimit të këtij tregimi alegorik, ai ende më nxit të vlerësoj nëse ishte apo jo mënyra më e mirë për t’i treguar shqiptarëve realitetin dhe mënyrën për ndreqjen e tij, ajo që ndoqi Konica. Me gjithë mëdyshjet e para, këndvështrimi i tij për rrugën e përcjelljes së mesazhit përputhet me mendimin tim në lidhje me mënyrën e njohjes së shqiptarëve me realitetin e hidhur, që ishte i tillë vetëm falë tyre.

Ajo që të godet më shumë kur dëgjon fjalët e Konicës, është qartësia e alegorisë së përdorur dhe mënyra sesi autori, pa ndrojtje, numëron anët e errta të karakterit të shqiptarit tipik dhe po pa ndrojtje pohon atë çka duhet të jenë. Askujt nuk i pëlqejnë kritikat, sidomos kur ato janë aq shumë të zhveshura nga etika, por a nuk ishte koha që shqiptarët të njihnin vetveten dhe të kuptonin rrugët që duhet të këmbëngulnin për të arritur aty du donin? Idealizimi i së kaluarës historike, ngritja në majë të piramidës së nderimeve të figurave atdhetare për të qenë shembuj për të gjithë dhe vlerësimi i virtyteve të shqiptarëve si trimëria, besa ishin armët më të fuqishme të rilindasve për ndërgjegjësim atdhetar, por ato dukej se tashmë ishin tejpërdorur dhe nuk po jepnin më efektin e duhur, përkundrazi, po ngopnin shqiptarët me merita që jodrejtpërsëdrejti i takonin dhe po i vetkënaqnin ata. Në këto rrethana, ajo që u duhej shqiptarëve dhe që edhe vetë e donin, ndonëse nuk e shprehnin, ishte qortimi i hapur ndaj tyre.

A ja arriti qëllimit Konica? Jo të gjithë e kanë mirëpritur dhe për këtë ai ishte mëse i vetëdijshëm. “Vërshëllimë, sharje, krisma në çdo anë.” Ndoshta disa “i kanë treguar grushtin”. Të tjerë mund t’i kenë kërkuar “të lipë ndjesë” . Por, mbi të gjitha ai ishte atdhetar dhe nëse e vetmja rrugë për t’i treguar shqiptarëve ç’ishin e ç’duhet të ishin nuk sillte lavde, ai nuk do të nguronte t’i shkonte deri në fund asaj.

Kanë kaluar vite që nga shkrimi i kësaj alegorie të zulluve. Gjithsesi, unë jam i bindur që shqiptarët më shumë se kurrë, tani kanë nevojë t’i përkthejnë siç duhet rreshtat e Konicës. Rrota e historisë ka ndryshuar, megjithatë shqiptarët në përgjithësi janë po të njëjtët dhe nëse asgjë tjetër nuk do të funksiononte për t’i kthyer ata “në binarë”, kritikat, edhe ndonëse jo të mirëpritura, do të ishin më kombëtare sesa lavdet atdhetare të thurrura për kombin.

Ku gabuam? Shekuj histori vlerash dhe idealesh të shkërmoqura në një realitet të shëmtuar

Përditë shoh qartë rrugëve të qytetit, mbretërimin e anarkisë. Në çdo bisedë të çiltër, duket se si mbytet pafajësia, si “më të liqtë” veprojnë të lirë pa asnjë kufizim, e si “më të mirët” kryesojnë pa asnjë vlerë. E në dritën e këtyre mendimeve të mia, me të drejtë më vjen ndërmend historia e popullit tonë, e cila, padyshim, është e vetmja gjë për të cilën çdo shqiptar, pavarësisht se kush është, duhet të ndihet krenar.

Shqipëria, të gjithë shekujt e ekzistencës së saj i ka patur shekuj vuajtjesh. Luftra, dhunë, privime nga gjuha, besimet e kultura jonë, tjetërsime të imponuara. Megjithë shortin mizor që shoqëroi historinë tonë, ne, me forcën e vullnetit dhe aftësinë për t’u bashkuar atëherë kur bashkimi është i domosdoshëm për t’ia dalë mbanë, kemi ditur të ruajmë jo vetëm trojet e gjuhën shqipe, por edhe një numër vlerash e idealesh, që, si pjesë e kulturës sonë, na e kanë lartësuar të gjithë qënien, dhe i kanë dhënë nota madhështie identitetit shqiptar.

E gjithë pasuria shpirtërore dhe virtytet që të parët tanë aq me insistim kërkuan që ne ta trashëgonim është e stërmadhe dhe e papërshkrueshme. Por, nuk mund të le pa përmendur, ato që përtej asaj që janë në të vërtetë, janë kthyer në mite për ne shqiptarët: dashuria për atdheun qëndron në krye, për magjinë dhe madhështinë që shfaq, por edhe për dobinë në çaste historike të vështira, e më pas besa, bujaria, aftësia për kompromis, devotshmëria për punë, dëshira për dije...

Dhe kur përmend gjithë këto vlera e ideale, kam ndjesinë se ato nuk kanë aspak lidhje me epokën e materializmit, ku kemi hyrë prej vitesh. Ajo që më shqetëson më shumë është se si është diskredituar çdo shfaqje e virtyti. Fjalët “i respektueshëm”, “i devotshëm” “i denjë” kanë fituar një ngjyrë tallëse dhe përdoren vetëm me ironi. Më të rinjtë nuk kanë bindjet e tyre, ndërsa më të moshuarit përpiqen t’i përshtaten realitetit, duke devijuar nga mendimet e ngurta të mbetura në mendjen e tyre nga e shkuara. Shoqëria është fokusuar në vlera të rreme, duke mos ditur të vlerësojë ato të vërtetat. Motivi i fitimit ka zhytur thellë në terr çdo ideal. Jeta është e zhurshme dhe e rrëmujshme.

Idealet dhe besimi tek to është thelbësor që një shoqëri njerëzore të shkojë përpara. Ashtu si yjet, për një lundrimtar në gjerësinë e detit, idealet, edhe pse nuk i prekim dot, na drejtojnë në udhën drejt qytetërimit. Braktisja e tyre bën që të gjendesh në udhëkryqe vetëm e krejt i humbur. Ne nuk na ka mungojnë idealet ku të besojmë. Na mungon vullneti, e prandaj jemi të mbuluar nga kaosi dhe errësira. Është për të ardhur keq sesi i kemi privuar vetes përparimin, kur mbi supe kemi patur atë histori vlerash e idealesh. Kaq pranë dritës dhe të paparë, siç thoshte Noli i madh.

Që shoqëria njerëzore të fuksionojë siç duhet, duhet të jetë e organizuar në njëfarë mënyre. Por, shqiptarët e sotëm, ndoshta më të ushqyer mirë, më kureshtarë e më kritikë dhe sigurisht më të shkolluar se shqiptarët e çdo periudhe tjetër, kanë një ndjenjë mospërfilljeje ndaj institucioneve, ndryshe nga shekuj më parë, ku shteti nuk ishte i konsoliduar dhe institucione nuk kishte fare, por që nga nevoja për të bashkërenduar forcat, shqiptarët organizoheshin në mënyrë spontane. Kohët e fundit, njerëzit janë larguar gjithnjë e më shumë nga arti, që është shfaqja më sublime e vlerave dhe e gjithë trashëgimia artistike e popullit tonë, është lënë nën pluhurin e kohës nëpër muze. Gjithashtu, mjetet e komunikimit masiv, që po përjetojnë një erë të ndritur, bëjnë që shqiptarët të mos përthithin vetëm anën pozitive të informacionit. Të gjitha këto kanë bërë që realiteti shqiptar të jetë larg së përkryerës, larg asaj që do të donim të gjithë të ishte.

A kemi ne gjë në dorë për të ndryshuar? Sigurisht. Ne të gjithë jemi pjesë së një të tëre, e cila, tek e fundit pasqyron atë që secili prej nesh është. Nëse afrojmë pranë vetes vlera dhe nëse i qëndrojmë besnikë idealeve tona, në një farë mënyre kemi kontribuar për një Shqipëri më të begatë. Të ardhmen e kemi përpara dhe prandaj nuk kemi pse të mos jemi optimistë. Vërtet, e ardhmja është e pashkruar dhe le të shpresojmë që vendin e kësaj ndërgjegjeje të shqetësuar që më shoqëroi gjatë gjithë rrëfimit tim, teksa në mënyrë modeste u përpoqa të ballafaqoja të kaluarën e lavdishme me të sotmen “e shëmtuar”, ta zërë krenaria dhe lumturia e një Shqipërie që ecën e sigurtë në rrugën e dritës dhe të mirësisë...

Nëse drita është dashuria e parë e jetës, atëherë përse dashuria të mos jetë drita e jetës?

Vetëm një fill i hollë na ndan nga shembja e gjithë atyre besimeve e botëkuptimeve shpirtërore e fetare, që na ngopin me frymëzime për jetën pas asaj që jetojmë në Tokë. Kemi harruar atë që jemi të sigurtë që e kemi: jetën tonë. Sepse, siguria për vërtetësinë e saj më bën të mendoj që është edhe më e shtrenjta gjë që kemi. Gjithmonë kam pyetur veten: “A dimë ta jetojmë jetën?” Në gjërat më të vogla të jetës gjendemi në situata të pakëndshme konfliktesh e grindjesh, e të mbushur me pakënaqësi për njerëzit që kemi pranë dhe ngjarjeve që na ndodhin, mënyrën si sillemi e si sillen të tjerët me ne. Por jo vetëm kaq. Njeriu nuk është mjaftuar me shpenzimin e energjive të tij për të shëmtuar jetën, sepse ajo është jeta: njerëzit, ngjarjet, sjelljet, por ka shkuar më tej, në shtrirjen e dhunës reciproke ndaj njëri-tjetrit në nivel botëror. Periudhat e paqes së plotë në botë kanë qenë shumë të pakta. Luftrat, triumfuese mbi dashurinë, errësira mbi dritën.

Si duhet të kemi qenë më parë, para se të lindnim? S’e di. Ndoshta të mpirë në errësirë, pa ndjerë as dashurinë, as jetën. Ose ndoshta asgjë. Pastaj, një rreze drite na ndriçoi, verboi errësirën dhe na zgjoi. Na ftoi për të jetuar. Njohëm për të parën herë dashurinë. Por nuk kuptuam. Dashuruam dritën, nuk ia dolëm të dashuronim më pas jetën. Dhe vuajtëm...

Tashmë, natyra njerëzore e ka kuptuar se lotët nuk duhet të jenë mbi buzëqeshjet, urrejtja mbi dashurinë. Ajo që nuk ka kuptuar ende, është se për të ndryshuar botën, duhet të nisim nga vetja: të falim dashuri, për një ditë më të mirë...

Mbi Ema Bovarinë, bovarizmin, donkishotizmin dhe ëndrrat...

Nuk mund të ndodhë që të mos më vijë ndërmend Zonja Bovari, ndërsa mendoj për ëndrrat dhe hendekun mes ëndrrave dhe realitetit. Ndoshta kjo, falë asaj që Floberi ka ditur të pasqyrojë në roman: Ema Bovari, e mbushur me pasion për të kapërcyer këtë hendek, e në përfundim e lodhur nga paaftësia për t’i bërë triumfuese ëndrrat pasionante mbi realitetin e hidhur që pasionin e saj e gllabëron, ndërsa vetë atë e zgjënjen.

Shkurt: Ema ëndërroi, u zhgënjye pafundësisht nga jeta dhe i dha fund asaj... Kjo është filozofia e jetës së saj. Vetë qënia e Emës ishte e prirur për ëndërrime dhe zhgënjime të vazhdueshme, prirje kjo e quajtur më vonë bovarizëm, për arsye të shfaqjes së parë te “Zonja Bovari”, por që e universalizuar duket tek të gjithë ne, ndonëse në doza të vogla.

Të jesh i nënshtruar nga bovarizmi nuk do të thotë t’i jepesh vesit, por në mënyrë të pavullnetshme vesi hyn në brendësi të qënies dhe mbush atë boshllëk që të ka krijuar jeta. Vërtet, Ema Bovari kërkon një jetë shpirtërore ideale, të japë e të marrë dashuri sipas mënyrës së saj. Por ato që i kërkon ajo jetës nuk mund t’i marrë kurrë. Zonja Bovari nuk pajtohet me realitetin ekzistues, por kërkon një realitet paralel, si ai i romaneve romantikë që ka lexuar, dhe guximshëm i qëndron besnike deri në fund ideve dhe pretendimeve të saj.

Sipas këtij arsyetimi, bovarizmi ngjan me donkishotizmin. Ngjashmëria duket që në përkufizimin e dy prirjeve. Të dyja janë rezultate të një indoktrinimi letrar. Si Zonja Bovari, ashtu edhe Don Kishoti jetojnë mbi ëndrra dhe nuk ia dalin të mbijetojnë në realitetin gjithëpërfshirës. Po vete më tej, po guxoj të them se pjesërisht bovarizmi është pjesë e donkishotizmit dhe më specifik në mospërputhjen e kërkesave mondane me të përditshmen provinciale. Sepse Ema larg provincës mund të përmbushej ndopak: Nuk do të gjendte princin e kaltër, por ndoshta do të shkruante libra të zymtë për botën e zhveshur nga pasioni. Këtë e them, duke patur parasysh notat autobiografike të romanit.

Pasi lexova “Zonjën Bovari”, mu shembën bindjet e mia për raportet mes ëndrrave dhe realitetit. Jo para shumë kohësh, unë dhe ndoshta edhe të tjerë si unë jemi shprehur prerë: “Ëndrra nuk e dëmton realitetin.” A është vërtet kështu? Ëndrrat e Emës dëmtuan realitetin e saj, vranë atë vetë. Të ëndërrosh është vërtet bukur, por të qëndrosh me këmbë në tokë na siguron të jemi pjesë e realitetit. Kjo siguri na duhet më tepër se çdo gjë për të ecur para dhe për të përmbushur misionin parësor: të jetojmë çdo sekondë të jetës sonë.

Ëndrra nuk e dëmton realitetin

Të shohësh botën qartësisht siç është, dhe të lundrosh nëpër ëndërrime tingëllojnë si veprime që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, përkundrazi, kundërshtohen. Por, nëse e mendon thellë, nuk është siç duket. Ëndrra, në njëfarë mënyre është pasqyrim i turbullt i një realiteti paralel, i ngjashëm ose jo me atë që përjetojmë çdo ditë, por që në fund të fundit protagonistë jemi ne dhe ato që për ne janë të shtrenjtat universale. Ndërsa rrjedha e ngjarjeve është pikturuar prej nesh, ashtu siç ne dëshirojmë, duke kapërcyer çdo kufi të ndrojtjes, aftësive dhe talentit tonë, herë-herë edhe të logjikës njerëzore. Realiteti është e shkuara, e përditshmja, ajo që pritet. Një histori ku të gjithë janë të pranishëm dhe askujt nuk i respektohet vullneti për zhvillimin e ngjarjeve dhe zgjidhjen e konflikteve.

Ëndërrimet janë dhurata më e çmuar që i është ofruar natyrës njerëzore. Vetëm në ëndërra njeriu është plotësisht i lirë, i zhveshur nga frika se veprimet e tij do të cënojnë dikë tjetër. Thelbi i ëndërrimeve është arritja e së paarritshmes, realizimi i së pamundurës. Por, gjithsesi, një njeri që ëndërron virtyte, qoftë edhe arritje synimesh, duke menduar: duke ëndërruar, herët a vonë e gjen rrugën për ta realizuar të njëjtën gjë edhe në jetën e vërtetë. Sidoqoftë, kthimi i ëndrrës në realitet mund të mendohet si i realizueshëm kur bëhet fjalë për ëndrra të realizueshme.

Nëse do të kthenim kokën pas e të vështronim çastet e historisë së njeriut, kur shoqëria njerëzore ka patur çastet më të ndritura të saj, kur zhvillimi i dijeve ka arritur majat, ka qenë imagjinata burimi i çdo mendimi gjenial. Prandaj të thuash që ëndrra e dëmton realitetin, do të thotë që t’i mohosh letërsisë frymëzimin, shkencës novacionet dhe t’i urosh shoqërisë prapambetjen. Kur imagjinata, mendimi në ëndërr, është çelës zhvillimi, atëherë s’ka krim më të madh se t’i vrasësh dikujt ëndrrat.

“A është ajo? Apo si në ëndërr ma sjell zemra?”

Qëndroj këmbëkryq përpara fatit. Hesht nga ankthi i ditëve të mija dhe pres rrjedhën e kohës. Tregohem shpërfillës ndaj rrahjeve të forta të zemrës, monotonia e së cilave i jep sadopak rregullsi asaj furtune të brendshme; e më kot mundohem ta largoj mendjen nga ajo gjendje torturuese, që tashmë pas shpirtit, pushtoi pamëshirshëm çdo qelizë të trupit.

I dëshpëruar, kërkoj të gjej shpëtim në çdo gjë: në thellësinë e frymëmarrjes, në klithmat e palejuara, në qartësinë e mendimit. E sa here që e kuptoj që shpëtimi im është larg, sepse shpëtimi im është ajo, të gjitha mendimet në kokë mundohem t’i largoj, e zemra më rreh edhe më fort.

Pikërisht atëherë kur mendoj se i kam mposhtur të gjitha lëkundjet emocionale, në mënyrë të pavullnetshme, si gjithçka që lidhet me dashurinë, më shfaqet imazhi i saj. Imazh i tjetërsuar, ashtu si në ëndrra, ku e bardha të duket rozë dhe e kuqja, më e ndezur. Imazh me konture të venitura dhe pikëpyetje dyshimesh në sfond. Dhe për disa sekonda, koha ndal, zemra pushon së rrahuri dhe ajo, shpëtimtarja, më duket sikur ka fituar mbi çdo gjë: mbi frymëmarrjen e thellë, mbi klithmat e dëshpëruara, mbi mendimin e qartë, për të më shpëtuar mua nga gjithë ato lojra psikologjike e emocionale që luheshin brenda meje, gjatë pritjes së gjatë për të. Por jo! Ashtu si në ëndërr, kur agimi shkatërron çdo dyshim e shpresë, ashtu edhe ajo tretet çdo çast, në çdo grimcë ajër. E tymi që mbetet, e bën agimin edhe më të mallkuar. Gjithçka nis nga e para…

I lodhur, i dehur dhe i pasigurt nëse ajo që po më ndodh është një dënim i pamerituar apo një dhuratë e çmuar që vetëm një here në jetë të jepet, mundohem të parashikoj të nesërmen, dhe ashtu, i heshtur e i turbulluar, përpiqem të gjej nëpër tym, qoftë edhe më të voglën shenjë të saj, si ogur i mirë për të përsosurën, paqjen shpirtrore, parajsën.

Donkishotizmi dhe "njeriu i tepërt"

Kryeveprat e letërsisë botërore, gjithmonë kanë pasqyruar karaktere që i kalonin kufijtë e veprës, duke arritur deri në përgjithësime universale. Falë gjenialitetit të tyre, shkrimtarë të mëdhenj, të paharruar nga shekujt dhe që gjithmonë kanë qenë në qendër të vemendjes nga studiues letrarë, filozofë e psikologë, kanë shpalosur nëpër faqjet e veprave të tyre një zbërthim të hollësishëm të karaktereve, deri sa ja kanë dalë mbanë që personazhin e veprës së tyre ta shndërrojnë në ikonën e shumë njerëzve të ngjashëm me të. Që nga "Medea" e deri tek "Idioti", dhjetra personazhe janë evidentuar si të tillë, por për t'u veçuar janë "Don Kishoti" i Servantesit dhe "Eugjen Onjegini" i Pushkinit, të cilët kanë gjetur përdorim të gjerë në fjalorin e çdokujt, pa përfshirë në kontekst vetë veprën.

Donkishotizmi, si dukuri, karakterizohet nga dëshira e brendshme: për drejtësi aty ku sundon padrejtësia, për të ndihmuar aty ku ka vuajtje; si dhe nga një ndjenjë fisnike, por imponuese, për t'i rrënjosur shoqërisë parimet vetiake mbi atë çka duhet të jemi, të kemi dhe të paraqesim, mbi ndjenjat njerëzore (në veçanti mbi dashurinë), dhe së fundmi, mbi lirinë. Persona të tillë janë fisnikë dhe gëzojnë respektin e të tjerëve për virtytet që trumbetojnë, deri në momentin që vendosin t'i kthejnë në realitet dëshirat dhe ëndrrat e tyre, sepse në këtë pikë, ata përveçse bëhen qesharakë, u shkaktojnë dëm të tjerëve, dhe njëkohësisht edhe vetes së tyre. Në thelb, një njeri don kishot është një njeri që nuk i njeh ligjësitë e vërteta mbi të cilat është ndërtuar shoqëria njerëzore dhe nga paaftësia për të sistemuar idealet e së djeshmes nga ato të së sotmes, ndërmerr aventura qesharake.

Onjeginizmi, apo siç njihet gjerësisht në literaturë, dukuria e "njeriut të tepërt", prek kryesisht intelektualë të studiuar, me një bagazh kulturor të jashtëzakondshëm, por që realiteti përreth i çon dëshpërimisht në indiferentizëm dhe pesimizëm. Njerëz të tillë nuk ngurojnë të japin mendime të vyera, të cilat i kanë përfituar falë studimeve, përtej asaj që u ka ofruar shoqëria, por për shkak të mungesës së kushteve të favorshme për veprim, kufizohen vetëm me dhënien e deklaratave. Gjithsesi, me fjalët që thonë, mbështetin ata që ndajnë mendime të njëjta me ta dhe ndërgjegjësojnë pjesën tjetër. Në këtë këndvështrim, "një njeri i tepërt " është në njëfarë mënyre fatkeq, sepse realiteti që ai shikon, megjithëse mund të jetë i vërtetetë, është ndryshe nga realiteti që sheh pjesa tjetër e shoqërisë, dhe kjo e izolon atë nga shoqëria, deri sa i shkatërron çdo shpresë për një shoqëri që i përmbush idealet e tij.

Nëse do të krahasonim donkishotizmin me dukurinë e "njeriut të tepërt", dallimi që do të binte menjëherë në sy, është efekti që ato kanë mbi shoqërinë ku këta njerëz jetojnë e veprojnë. Një "njeri i tepërt", megjithëse vetë nuk bën asgjë për t'i dhënë jetë aspiratave të tij, i reflekton ato tek të tjerët, duke i ndihmuar ata për ta parë botën në dimensione të tjera, për të kuptuar, dhe më vonë për t'i marrë parasysh të vërtetat e jetës në veprimet e tyre. Ndërsa donkishotizmi, përkundrazi, është një dukuri shterpë dhe e panevojshme, por jo vetëm kaq. Duke qenë se për të përmbushur të pamundurën, njerëz të tillë ndërmarrin veprime absurde, shpesh shkaktojnë telashe tek të tjerët. Një ndryshim tjetër është edhe përpjekja për të përmbushur idealet. Ndërsa "njerëzit e tepërt" qëndrojnë pasivë, don kishotët, me një vullnet çuditërisht të pamasë, përpiqen deri në fund për të siguruar drejtësi.

Fundi tragjik i përbashkët i këtyre dy karaktereve përbën anën më të errët të dukurive. Në fund, një "njeri i tepërt" ndjehet i paplotësuar, i dëshpëruar, pesimist, "i tepërt". Edhe një don kishot ndjehet i mundur para sfidës më të madhe, motivit të jetës së tij: luftës për liri e drejtësi në botë.

Në kohën kur Pushkini shkroi "Eugjen Onjeginin", ky personazh ishte pasqyrimi i përsosur i një të riu aristokrat përparimtar, të pakënaqur nga politikat e regjimit carist në Rusinë e asaj kohe. Sot, dy shekuj më pas, shoqëria është e mbushur plot me intelektualë të paplotësuar që të pikëlluar shohin realitetin e hidhur, ashtu siç ka edhe don kishotë, që më kot luftojnë për ideale. Në këto 4000 vjet ekzistencë, natyra njerëzore nuk ka ndryshuar shumë. Vetëm nëpërmjet skalitjes së karaktereve të tilla është zbuluar sadopak kjo natyrë.

Të jetosh pa e vrarë jetën!

Të ndodh shpesh të kalosh një nga ato netët, ku zhurmat e lodhshme të ditës ia lënë vendin mendimeve të shumta që lidhen me filozofinë e jetës dhe pasi ke bërë bilancin e jetës që po jeton, që të ka sjellë një trishtim të madh, mendon për vdekjen dhe atëherë të mbërthen një frikë dhe mundohesh t’i largosh shpejt ato mendime.

Shoqëria njerëzore, në shekuj, ka krijuar një mekanizëm gjigand, ku çdo njeri përpiqet të gjejë veten në ndonjë pjesë të tij, dhe kjo ndoshta ka bërë të harrojmë thelbin e jetës. Janë të rrallë njerëzit që jetojnë pa brenga. Të gjithë e dimë që jemi të përkohëshëm, megjithatë, askush nuk përpiqet të jetojë një jetë larg shqetësimit për gjykimin e të tjerëve dhe larg brengave për qëllimet ambicioze që nuk kemi mundur të realizojmë.

Pse duhet të jetojmë një jetë të vrarë nga vetë ne? Pse duhet t’i japim fund ëndrrave dhe dëshirave tona? Nëse nuk do të bënim në jetë ato gjëra që i kemi dëshiruar dhe ëndërruar prej kohësh, atëherë cilat do të ishin ato gjëra të rëndësishme që do të kishin kuptim të bëheshin?!

Dikush ka thënë: “do të jetë një rrugë e gjatë për të qenë i lumtur!” Gabimi më i madh njerëzor qëndron në idetë: “do të ketë kohë edhe për të dashuruar”, “do të ketë kohë edhe kur do të çlodhemi në lumturi”. Jo! Ne duhet të mendojmë për të tashmen dhe nuk duhet t’i vrasim ëndrrat tona. Nuk duhet të shqetësohemi se ç’thonë të tjerët apo ç’mendojnë për ne. Lumturinë duhet ta gjejmë brenda vetes. Sepse lumturia vetëm aty gjendet! Nëse vrasim jetën tonë, presim ëndrrat tona dhe pastaj themi se jetojmë, jemi vetëm hipokritë që qëndrojmë mbi bazën e gjykimit të të tjerëve.

Unë (nuk) e mbështes Orestin

Njohja e subjektit të tragjedisë, nuk na bën të kemi një qëndrim të prerë dhe të dukshëm për atë që bëri Oresti. Eskili e paraqet atë të pasigurt e të pavendosur për atë çka është e drejtë.

Arsyet e Orestit për të vrarë të ëmën ishin të forta: Klitemnestra vrau babain e tij dhe trupin e tij e copëtoi për asnjë mundësi lidhjeje. Ajo u kish mohuar atij dhe motrës së tij, Elektrës, trashëgiminë; dhe Apoloni, që ishte mbi të gjitha një perëndi, e kish urdhëruar ta vriste. Gjithsesi Klitemnestra mbetej nëna e tij. Vrasja e nënë nga biri është akt mizor dhe moralisht i neveritshëm. A do të ishte i qetë Oresti pas kësaj? Rrjedha e ngjarjeve në tragjedi tregoi të kundërtën. Erinitë, që iu shfaqën Orestit, janë manifestuese dhe simbole të ndërgjegjes me faj. Edhe nevoja për t’i justifikuar vazhdimisht veprimet e tij, tregonte frikën e thellë dhe ankthin e tij për atë çka i është dashur të bënte.

Konflikti midis sistemeve të ndryshme morale brenda Orestit, i ka rrënjët të ngulura thellë në mallkimin e familjes së tij. Mallkimi, në këtë rast, s’është gjë tjetër veçse parashikim gjakderdhjesh të njëpasnjëshme dhe të pashmangshme, burim i të cilave ishte krimi i Atreut kundrejt vëllait të tij,Tiestit. Po a e vrau Oresti Klitemnestrën për ta mbyllur këtë cikël vrarsjesh brenda gjakut? Sigurisht që jo. Ekzistojnë paralele midis asaj që bëri Klitemnestra dhe asaj që bëri Oresti. Të dy u shfaqën në publik krenarë duke treguar trupin e viktimës së tyre. Të dy deklaruan se vdekja ishte në emër të drejtësisë dhe se përfundimisht cikli i dhunës kishte marrë fund. Të dy treguan pëlhurën me të cilën zunë në grackë viktimën. Asgjë s’na bën të mendojmë se Oresti do të kishte fat tjetër nga Klitemnestra dhe kori me të drejtë ishte i shqetësuar për atë që do të ndodhte në të ardhmen. Ndryshe nga Klitemnestra, nuk pati pritje që bëmat e dhunshme të dënoheshin. Koha para se të mbërrinin Erinitë, për të dënuar vrasjen e së ëmës, i shërbeu Orestit vetëm për të shfaqur trupat e për të ligjëruar pak fjalë.

Gjithsesi,vrasja e Klitemnestrës ishte një domosdoshmëri. Në të kundërt, jo vetëm që nderi i një babai-hero nuk do të vihej në vend, por Oresti shumë shpejt do të vritej nga Klitemnestra, duke qenë se tashmë dihej që ai përbënte një rrezik për të dhe për Egistin, dhe kjo do të ishte edhe më e padrejtë.

Përfundimisht mendoj se Oresti ndodhej midis dy zgjidhjeve, asnjëra prej të cilave nuk ishte moralisht e pastër. Ai nuk mund t’i shpëtonte ndëshkimit, një ndëshkimi të padrejtë nga paraardhësit, por edhe të pashmangshëm. Zgjidhja që Eskili i dha konfliktit ishte tragjikisht e drejtë në atë situatë gjakderdhjesh. Megjithatë, fati i së ardhmes mbeti i turbullt, i zhytur në pasiguri e paqartësi, ku mund të kishte edhe shpresë, edhe qetësi, edhe paqe.

Me zemër të dua, të urrej me mendje

Thellësia e qënies njerëzore ka të bëjë me atë që njeriu ndjen. Ekzistenca e njeriut mbështetet mbi një botë shumëdimensionale iluzionesh. Që kur lind, njeriu noton mbi këto dimensione dhe kur arrin në një pike të caktuar, iluzionin e quan dashuri. Mirëpo dashuria shtrihet vetëm në një rrugë, kryqëzohet me rrugë të tjera; iluzionet mbivendosen dhe kjo të turbullon. Të përjetosh një dashuri të përkryer do të thotë të përshkosh një rrugë pa kryqëzime e pa pengesa, vetëm të dashurosh dhe të mos ndjesh asgjë tjetër, të qëndrosh pezull, pa marrë frymë.

Nga ana tjetër, shumë njerëz thonë se udhëhiqen nga logjika. Po çfarë është logjika? Për çdo veprim që bën njeriu gjykon veten, dhe gjykimin thotë se e bën logjika. Edhe kur i duhet të zgjedhë midis dy rrugëve, thotë se përdor logjikën, përdor mendjen. Madje, shpesh thuhet se logjika është një rregulluese dhe sistemuese e ndjenjave. E pra, edhe logjika është vetëm iluzion. Vërtet dramatike! Njeriu është skllav i botës së brendshme, i iluzioneve.

“Të dua!”?! E çdo të thotë “Të dua!”?! Ndoshta kur arrij të të them “Të dua!”, e kam kuptuar që më së shumti po eci mbi rrugën e dashurisë dhe kjo rrugë është e drejtuar nga ty. Por rrugë nuk do të thotë bulevard. Iluzioni i dashurisë nuk shfaqet i vetëm. Bashkë me të shfaqet edhe romantizmi, si ndjenjë, dhembja, dëshira për të sakrifikuar dhe një mijë pasoja të tjera. Atëherë ajo që quhet logjikë fillon gjykimin; një iluzion, dashuria më ka ndryshuar, ndoshta edhe më ka dëmtuar. Atëherë brenda logjikës lind urrejtja. Logjika urren dashurinë. Por jo unë. Unë dashuroj. Dhe kaq.