Jul 16, 2008

Mbi Ema Bovarinë, bovarizmin, donkishotizmin dhe ëndrrat...

Nuk mund të ndodhë që të mos më vijë ndërmend Zonja Bovari, ndërsa mendoj për ëndrrat dhe hendekun mes ëndrrave dhe realitetit. Ndoshta kjo, falë asaj që Floberi ka ditur të pasqyrojë në roman: Ema Bovari, e mbushur me pasion për të kapërcyer këtë hendek, e në përfundim e lodhur nga paaftësia për t’i bërë triumfuese ëndrrat pasionante mbi realitetin e hidhur që pasionin e saj e gllabëron, ndërsa vetë atë e zgjënjen.

Shkurt: Ema ëndërroi, u zhgënjye pafundësisht nga jeta dhe i dha fund asaj... Kjo është filozofia e jetës së saj. Vetë qënia e Emës ishte e prirur për ëndërrime dhe zhgënjime të vazhdueshme, prirje kjo e quajtur më vonë bovarizëm, për arsye të shfaqjes së parë te “Zonja Bovari”, por që e universalizuar duket tek të gjithë ne, ndonëse në doza të vogla.

Të jesh i nënshtruar nga bovarizmi nuk do të thotë t’i jepesh vesit, por në mënyrë të pavullnetshme vesi hyn në brendësi të qënies dhe mbush atë boshllëk që të ka krijuar jeta. Vërtet, Ema Bovari kërkon një jetë shpirtërore ideale, të japë e të marrë dashuri sipas mënyrës së saj. Por ato që i kërkon ajo jetës nuk mund t’i marrë kurrë. Zonja Bovari nuk pajtohet me realitetin ekzistues, por kërkon një realitet paralel, si ai i romaneve romantikë që ka lexuar, dhe guximshëm i qëndron besnike deri në fund ideve dhe pretendimeve të saj.

Sipas këtij arsyetimi, bovarizmi ngjan me donkishotizmin. Ngjashmëria duket që në përkufizimin e dy prirjeve. Të dyja janë rezultate të një indoktrinimi letrar. Si Zonja Bovari, ashtu edhe Don Kishoti jetojnë mbi ëndrra dhe nuk ia dalin të mbijetojnë në realitetin gjithëpërfshirës. Po vete më tej, po guxoj të them se pjesërisht bovarizmi është pjesë e donkishotizmit dhe më specifik në mospërputhjen e kërkesave mondane me të përditshmen provinciale. Sepse Ema larg provincës mund të përmbushej ndopak: Nuk do të gjendte princin e kaltër, por ndoshta do të shkruante libra të zymtë për botën e zhveshur nga pasioni. Këtë e them, duke patur parasysh notat autobiografike të romanit.

Pasi lexova “Zonjën Bovari”, mu shembën bindjet e mia për raportet mes ëndrrave dhe realitetit. Jo para shumë kohësh, unë dhe ndoshta edhe të tjerë si unë jemi shprehur prerë: “Ëndrra nuk e dëmton realitetin.” A është vërtet kështu? Ëndrrat e Emës dëmtuan realitetin e saj, vranë atë vetë. Të ëndërrosh është vërtet bukur, por të qëndrosh me këmbë në tokë na siguron të jemi pjesë e realitetit. Kjo siguri na duhet më tepër se çdo gjë për të ecur para dhe për të përmbushur misionin parësor: të jetojmë çdo sekondë të jetës sonë.

0 coment(s):